Gazeta Shqiptare, 17/01/2010
SHIK-asi: Sefgjini tha, “Remziu është terrorist”
Klodiana Lala
Remzi Hoxhën e kemi vëzhguar 16 orë në ditë. Urdhrin ma dha eprori, Arben Sefgjini, në prani të Ilir Kumbaros. Mbaj mend që në vendim thuhej se Remzi Hoxha ndiqej për spiunazh. E kam shoqëruar deri në periferi të Tiranës. Atje ia kam dorëzuar Ilir Kumbaros, me urdhër të Arben Sefgjinit". Avni Koldashi, një prej të akuzuarve për rrëmbimin, torturimin dhe zhdukjen e shqiptaro-maqedonasit Remzi Hoxha, ka pranuar para hetuesve se ka shoqëruar biznesmenin.
Duke iu referuar procesverbalit të marrjes në pyetje të Avni Koldashit, rezulton që ai ka deklaruar se: "Një ditë më kërkoi urgjent zv/drejtori Arben Sefgjini, i cili më tha se, 'shteti demokratik është në rrezik. Rrezikohet pushteti nga një terrorizëm në shkallë të gjerë. Për të shmangur këtë, duhet të merret urgjent në bisedë operative një person', duke më thënë pseudonimin (bëhet fjalë për Remzi Hoxha)". Ish-shikasi ka bërë edhe më parë deklarime në media, duke pranuar hapur se ka bërë shoqërimin e dy personave (Remzi Hoxhës dhe Ziso Kristopullit), por para hetuesve, i pandehuri Koldashi ka nxjerrë në dritë mjaft detaje të rëndësishme që i shërbejnë zbardhjes së një prej ngjarjeve më të rënda të ndodhura ndër vite, ku të implikuar janë ish-punonjës të Shërbimit Informativ Kombëtar.
Rrëmbimi i Remzi Hoxhës
Në vitin 1995 unë isha shef i bazës së vëzhgimit nr.10 të SHIK-ut, Tiranë. Një ditë, aty nga vera apo vjeshta, më ka thirrur zv/drejtori Arben Segjini apo drejtori Mehmet Hoxholli, në prani edhe të Ilir Kumbaros, ku më kanë dhënë si objekt në vëzhgim një person që më vonë mësova se quhej Remzi Hoxha, i cili kishte dhe pseudonimin, por nuk e kujtoj. Mbaj mend se në vendim shënohej se ndiqej për spiunazh. Inspektor zone ishte Qerim Cenko, ku figuronte emri i tij dhe si kryetar dege ishte Ilir Kumbaro, ku figuronte emri i tij dhe ishte prezent në këtë bisedë. Mbi bazën e këtij urdhri unë caktova si vëzhgues dy grupe nga 8 orë, sepse më thanë që vëzhgimi do bëhej 16 orë; në punë dhe në shtëpi. Caktova nga dy vëzhgues për grup. Vëzhgimi zgjati 3 ose gjashtë ditë, dhe pas kësaj është ndërprerë.
Një ditë më kërkoi urgjent zv/drejtori, Arben Sefgjini i cili më tha se, "shteti demokratik është në rrezik. Rrezikohet pushteti nga një terrorizëm në shkallë të gjerë. Për të shmangur këtë, duhet të merret urgjent në bisedë operative një person", duke më thënë pseudonimin (bëhet fjalë për Remzi Hoxha). Kërkoj punonjësit që e njihnin objektin dhe ia dërgova Arben Sefgjinit. Aty Arbeni më tha se do t'i afroheshin objektit me tre makina dhe do të vepronin sipas urdhrave të mia. Operacionin e drejtonte Arben Sefgjini me radio në kanalin "0", i cili ishte dhe kanali i parë (kryesor) i SHIK-ut qendër. Unë isha me Riza Shehun e Bajram Bulicën. Si makinë përdorëm 'Tipo' ngjyrë ulliri me shofer Shpëtim Pasholli. Kjo makinë na u dha nga Arben Sefgjini dhe ishte makina e kryetarit të Degës së II-të, Kadri Rrapi, i cili vetë nuk ishte prezent. Bashkë me ne ishte edhe një makinë ose dy makina të tjera. Një 'Audi' i bardhë i Ilir Kumbaros, i cili ishte me shoferin e tij dhe tjetra 'Fuoristradë' ngjyrë gri ose blu. Kur ju afruam objektit, dikush ka verifikuar nëse ishte personi brenda dhe në radio Arbeni tha se objekti ishte brenda, dhe dy vëzhguesit që e njohin ta marrin e ta fusin në makinë. E futëm në makinë Remzi Hoxhën, dhe Arben Sefgjini urdhëroi të udhëtonim drejt Lezhës. Në Laprakë na tha ta kontrollonim dhe t'i zinim sytë. Kur mbërritëm në Institutin Bujqësor, Arbeni na urdhëroi me radio që të ndalonim, objektin t'ia kalonim kryetarit të degës së Parë, Ilir Kumbaro, i cili erdhi vetë dhe e mori. Deri tek makina e Ilirit, që ishte ngjitur me tonën, e çuan Bajrami dhe Riza Shehu.
Kontrolli i makinës
Pas kësaj na u dha urdhri që në 'Tipo' të kalojë inspektori Qerim Cenko dhe nën drejtimin e tij të bëhet kontrolli i makinës së Remziut para punishtes. Shkuam atje dhe kontrollin e bëri Qerim Cenko me Riza Shehu dhe Bajram Bulicën. Se çfarë u bë më gjatë me Remzi Hoxhën nuk di gjë, pasi nuk ishte detyra ime, por kam dëgjuar se u shpall person i padëshirueshëm, u nxor jashtë, por na u tha të mos flisnim se ishte sekret shtetëror. Se kush mi ka thënë këto nuk di gjë, sepse nuk e mbaj mend.
Krijoni Kontakt